Mendja Dhe Nafaka
U kapën mendja e nafaka. Njana:" E maj une njerin" . tjetra:"Jo, une e maj".
Menja tha:
- S'un e man pa mue ti njerin.
- E maj, - ja priti nafaka. - Qe kqyr se si kam me e majtë.
Shkoi nafaka te njani e ja qiti ni guri xhevahir përpara. Kur e muer aj njeri gurin, e kqyri e menoi me vedi:"Shka m'vyn mue qiky gur? Kurrgja s'um vyen."
Aty pari kaluen tatart e mretit. Muer aj njeri e ja dha tatarve gurin:
- Ha qit gurë e çonja mretit pej meje.
E mueren tatart gurin dhe ja çuen mretit. Mreti thirri mishlist e i pveti:
- Qa me i dhanë kti njeri qi ma ka çue kit gurë qi s'gjinet nëpër krajli?
- Kjo punë a e jote, i thanë mishlist, - po n'dash me a ba çirak, qi ta paska çue kit gurë t'mirë,bjere ktu, epja çikën e maje si djalë.
Qoi e e thirri mrati, ja nreqi sarajet e ja dha çikën. Kur hini djali n'gjerdek tu çika e mretit, nuk foli me çikën, po ra e fjet n'tokë e jo n'krevet ku ish e shoqja.
Ashtu bani edhe natën e dytë e t'tretën. Mas natës tretë e veti mreti çikën:
- Qysh po e ço me kit nafakë?
- Kurrqysh, babë.
- Pse?
- Qe tri nat unë n'dyshek e aj n'tokë. Gojën s'e ka çelë me folë me mue.
E thirri mreti e i tha:
- Shka a kshtu? Une t'kam evlad e çikën ta kam dhanë, e ti mos me folë me ta, po me ra n'tokë?
Djali s'diti me thanë kurrgja. Mreti ja preu me e virë n'kanop. E çoi n'hapsane e t'nersëmen kishin m'e virë. At'herë nafaka e pa qi s'munet me ba gja për ta e i tha menes:
- Ti n'mujsh me e pshtue se une s'muj. Teri ktu e pruna.
I hini menja n'krye djalit. I ra n'men djalit shka me ba. Lypi izë me dalë para mretit edhe 'i herë. Kur e çuen para ti, i tha:
- A kam izë me folë?
- Fol! - i tha mreti.
- Kanka gutë çika jote qi ka folë. Unë t'parën natë ju kam lutë zotit qi ma bani nafakë me ardhë ktu e m'i marrë çikën e mretit për grue.T'dytën natë jam lutë për shnetin e t'retën natë kam ba duva për ty qi je ni padishah.
- N'koftë kshtu,- i tha mreti - hajt shko e hajrin ja pafsh.
Shkoi aj djali e natën e katërte ra me t'shoqen.
Shqiponja dhe njeriu
Një herë një njeri zuri një shqiponjë, ja preu menjëherë krahët dhe e lëshoi ndër pula. Ajo dukej e pikëlluar për gjendjen
e saj të mjerë. Një njeri tjetër e bleu këtë shqiponjë dhe e la që t'i rriten prapë krahët. Atëherë shqiponja i hapi krahët e fluturoi, zuri një lepur dhe ia solli menjëherë mirëbërësit të vet. Dhelpra e pa këtë e i tha:
Mos ia dhuro këtij, por atij të parit, që most ë zërë prapë dhe mos t'i shkulë prapë krahët.
Porosia: Mirëbërësit duhet t'i kthehet e mira, kurse prej të këqinjve duhet ruajtur.
Shqiponja , sorra dhe bariu
Një shqiponjë ra fluturimthi mbi një shkëmb të lartë she rrëmbeu një qengj. Këtë e pa sorra dhe nga smira deshi të ndjekë shembullin e saj. Prandaj u lëshua me një krrokatje të madhe dhe u hodh mbi një dash. Por iu ngatërruan kthetrat në bashën e leshit dhe nuk mundi të fluturojë lart, kështu filloi të përplasë krahët. Bariu e pa se çka ndodhi, vrapoi dhe e kapi sorrën. Mandej ia preu krahët dhe, në mbrëmje , ia çoi fëmijëve të vet. Kur e pyetën fëmijët se çfarë zogu mund të ishte ai, bariu tha:
Ma sa e di unë, sigurisht - sorrë, por siç kishte për të dashur ajo vetë - shqiponjë.
Bilbili dhe skifteri
Një bilbil kishte qëndruar mbi një lis të lartë dhe, si rëndomë po këndonte. Skifteri e diktoi dhe, meqënëse ishte i uritur, fluturoi dhe e rrëmbeu bilbilin. Duke dashur të shpëtojë, bilbili filloi të lutet, duke i thënë se ishte i vogël e nuk do ta nginte skifterin, prandaj duhet të lapte ndonjë zog më të madh, në qoftë se është i uritur. Skifteri ia preu fjalën e i tha:
Do të isha vërtet i marrë sikur ta lija ushqimin e gatshëm që e kam në kthetra dhe të shkoja të ndjek qtë eë ende s'është askund.
Porosia: Ka grykës, që, duke lakmuar sa më tepër, humbit edhe atë që kanë.
Bretkocat kërkojnë mbret
Të brengosura nga rrëmuja që mbretëronte ndërmjet tyre, bretkosat i dërguan Zeusit një përfaqsues të tyre, duke iu lutur qët'u japë një mbret.
Megjithse Zeusi pa se kjo punë ishte budallallëk, prapëseprapë ua hodhi në kënetë një cung. Në fillim, bretkosat, të frikësuara nga krisma e madhe, u tërhoq në thellësi, por më vonë, pasi druri (cungu) ishte i palëvizshëm, dolën në sipërfaqe të ujit dhe aq nuk e përfillën, saqë u ngjitën dhe u ulën mbi të.
Të zemëruara që kishin një mbret të tillë, shkuan për të dytën herë te Zeusi dhe iu lutën që t'ua ndërronte sundimtarin, pasi ky që u kish dërguar ishte shumë i butë. Zeusi u zemërua me to dhe u dërgoi një gjarpër uji, i cili i kapte dhe i gëlltitëte.